Fundamental Rights Report 2024 - FRA Opinions
5
June
2024

Raporti për të drejtat themelore 2024 — opinionet e FRA-së

Viti 2023 solli njëkohësisht progres dhe pengesa në fushën e mbrojtjes së të drejtave themelore. Raporti për të drejtat themelore i vitit 2024 i Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) merr në shqyrtim zhvillimet në këtë fushë, duke identifikuar arritjet dhe fushat që ende mbeten shqetësuese. Ky botim paraqet opinionet e FRAsë për zhvillimet kryesore në fushat tematike që mbulon raporti dhe një përmbledhje të provave mbi të cilat mbështeten këto opinione. Në këtë mënyrë, raporti jep një panoramë të përgjithshme kompakte por informuese të sfidave kryesore të lidhura me të drejtat themelore, me të cilat përballen Bashkimi Europian (BE) dhe shtetet anëtare të saj.
Overview

Fundamental Rights Report 2024 (Raporti për të drejtat themelore 2024) fokusohet në çështjet e krizës së kostos së jetesës, demokracisë dhe lirive themelore, si dhe në situatën shqetësuese lidhur me të drejtat themelore në kufijtë e jashtëm të BE-së. Në raport shqyrtohen kërcënimet më të ngutshme ndaj të drejtave themelore në Evropë në ditët e sotme. Raporti trajton edhe aspektin e zbatimit të Kartës së të Drejtave Themelore të BE.

Ndonëse raporti fokusohet vetëm në këto çështje kryesore, në vitin 2023 u paraqitën kërcënime të shumta ndaj të drejtave dhe lirive themelore. Kërcënimet ndaj vlerave demokratike dhe shoqërisë civile, si dhe gjuha e urrejtjes dhe keqinformimi në internet përbëjnë sfida të vështira ndaj të drejtave themelore, përfshirë këtu edhe rritjen e niveleve të racizmit dhe intolerancës së lidhur me të. Në të njëjtën kohë, Evropa po përballet me nivele të shtuara të varfërisë në një kohë krize të kostos së jetesës, ndërkohë që vijon të luftojë çështjen e debatueshme të migracionit. Masat e nevojshme mbi ndryshimet klimatike rrezikojnë që të thellojnë format ekzistuese të margjinalizimit socio-ekonomik. Në këtë suazë, ky raport paraqet një përshkrim të përmbledhur të çështjeve tematike kryesore dhe jep sugjerime për mënyrën e adresimit të sfidave të lidhura me të drejtat themelore.

Opinionet e FRA-së, që gjenden në këtë raport, kanë për qëllim informimin e politikëbërësve dhe ligjvënësve duke përshkruar masat që duhen marrë për BE-në dhe shtetet anëtare. Së bashku me raportin e plotë, FRA-ja parashtron rrugëzgjidhjet për një Evropë më gjithëpërfshirëse të bazuar te mbrojtja dhe promovimi i të drejtave themelore.